fbpx

Ambasadori gjerman në Kosovë i reagon ashpër Goran Rakiqit: STOP

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe deklaratave të ministrit Goran Rakiq.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde tha se është i papranueshëm krahasimi i aksionit të sotëm të Policisë me “Natën e Kristaltë”.

“Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, ka shkruar Rohde.

Ministri i Qeverisë së Kosovës, dhe Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas aksionit të Policisë së Kosovës në nivel vendi, kundër kontrabandës së mallrave dhe krimit të organizuar kishte krahasuar këtë aksion me “Natën e Kristalt” (Kristallnacht – pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve).

“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiçin është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka deklaruar Rakiç.

Çfarë është ““Kristallnacht”, apo “Nata e xhamave të thyer”?

Kristallnacht është një nga ngjarjet më tragjike që njeh koha modern kur paramilitarë e civilë gjermanë nazistë kishin vrarë e shkatërruar në masë çifutët me 9-10 nëntor të vitit 1938.

Në nëntor të vitit 1938, një djalosh i ri hebre qëlloi për vdekje diplomatin gjerman, Ernst von Rath, në Ambasadën Gjermane në Paris.

Ky akt ishte pasojë e revoltimit të të riut, si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazizt ndaj popullatës hebre.

Ministri gjerman Joseph Goebbles, urdhëroi që lajmi për vrasjen e Rathit të ishte në të gjitha gazetat ditore gjermane.

Ishte nata e 9 Nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrenjve në Gjermani dhe Austri, duke përdorur si pretekst pikërisht këtë ngjarje.

Atë natë u dogjën më shumë se dyqind sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrenjve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre.

Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si Nata e Kristaltë apo Nata e Thyerjes së Xhamave.