fbpx

Europa Nostra rendit ‘Urën e Zogut’ në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në 2022

‘Ura e Zogut’, monument kulture që prej vitit 1999 në rrezik për t’u shembur, është shpallur një nga 7 monumentet më të rrezikuara për vitin 2022 nga Europa Nostra. 

Lista e 7 monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Europë është shpallur bashkërisht nga Europa Nostra – Zëri Evropian i Shoqërisë Civile të përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore – dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve.

6 monumentet e tjera në listë janë: –

The Couvent des Récollets, Belgjikë,

– Garden-city La Butte Rouge, Francë

– Stolberg City Centre, Gjermani

– Neptune Baths, Rumani

– The Orleans-Borbón Palace, Spanjë

– The Crèvecoeur Fortress, Holandë

Shpallja e listës u bë online në një event të Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve. Në listë ishin 12 monumente dhe vende të trashëgimisë kulturore.

Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, gjatë fjalës së tij në eventin e shpalljes së listës, u shpreh se kjo listë mbulon një sërë vendesh e qendrash historike.

Këto zona kërcënohen nga neglizhenca, prishja e planifikuar, zhvillimi i papërshtatshëm, ndikimi shkatërrues i fatkeqësive natyrore ose mungesa e financimit. Me publikimin e kësaj liste, dëshirojmë të dërgojmë një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetje për komunitetet lokale dhe aktivistët e trashëgimisë që janë mobilizuar për të shpëtuar këto vende të rrezikuara”, u shpreh ai.

Në dhjetor  “Ura e Zogut” kaloi fazën e parë, duke qenë pjesë e listës me 12 monumente, të cilat do t’i nënshtrohen një faze tjetër për të kaluar në listën përfundimtare “7 më të rrezikuarat”.

“Ura e Zogut” është nominuar nga anëtarja e Europa Nostra, aktivistja Emarilda Leti, për këtë program.

Historiku i “Urës së Zogut” dhe reagimi qytetar për mbrojtjen e saj

Ura e Zogut është një nga asetet e trashëgimisë kulturore të Kurbinit, e ndërtuar në vitin 1927. Ura me Harqe, është ndërtuar dhe projektuar nga Inxhinieri Italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga Italia.

Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri i shquar shqiptar, Gjovalin Gjadri. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve të saj dhe detajet të tjera arkitekturore ishin një risi për kohën kur është ndërtuar dhe akoma sot në Universitetin e Inxhinierisë trajtohet dhe studiohet stili inovativ i kësaj Ure.

Ura e Zogut

Citizens Channel ka raportuar më herët për protestat e mbajtura nga banorët e Kurbinit për mbrojtjen e urës. Në shtator të këtij viti, të rinjtë e Kurbinit organizuan një marshim në mbrojtje të “Urës së Zogut”.

Në janar të vitit 2021, për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Mat, një prej këmbeve mbajtëse të urës është zhvendosur rreth dy metra, gjë e cila ka bërë që një pjesë strukturës të zhytet edhe më shumë.

Sikurse Citizens ka raportuar, mosmirëmbajtja e këtij monumenti kulture të një rëndësie të veçantë e cilësuar si edhe si “Miss Ballkani” në vitin 2001, vjen edhe si shkak i shfrytëzimit që i bëjnë kompanitë që marrin inerte në lumin Mat.

Protestues në Kurbin në mbrojtje të “Urës së Zogut”

Organizata Sebastia dhe qytetarët firmosën një peticionin për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës dhe kërkuan nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë, që të merren masa emergjente për ndaljen e rrënimit të urës si dhe të hartohet një projekt për mbrojtjen afatgjatë të saj.

Aktivistët paralajmëruan se hapi i radhës do të ishte kontaktimi i organizatave ndërkombëtare, që mbrojnë trashëgiminë kulturore.

Shqipëria në listën “7 më të rrezikuarat”

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e programit “7 më të rrezikuarat”. Europa Nostra më herët ka bërë pjesë të listës përfundimtare Teatrin Kombëtar.

Organizata Europa Nostra e cilësoi teatrin Kombëtar si:  “Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend”.

“7 më të rrezikuarat”, është një program që identifikon objektet dhe peizazhet më të kërcënuara në Europë dhe mobilizon aktorët publik dhe privat në gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e siteve të çmuara të trashëgimisë.

Kjo listë publikohet çdo dy vite. Ekipe multidisiplinare ekspertësh angazhohen në misione shpëtimi dhe ndihmojnë në hartimin e planeve të veprimit për secilin objekt apo peizazh.

Europa Nostra është një zë i fuqishëm europian i shoqërisë civile, që përkushtohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Është e mbështetur nga një rrjet i gjerë organesh publike, kompani private dhe individë dhe mbulon më shumë se 40 vende. E themeluar në vitin 1963, sot njihet si rrjeti më i madh dhe më përfaqësues i trashëgimisë në Europë.