fbpx

Me shpejtësi skëterrë përplasi me makinë 23-vjeçaren dhe i këputi këmbën, arrestohet djali i ish-zv.drejtorit të policisë Erzen Breçani

Jehon Breçani, 19 vjeç, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë, Erzen Breçani, i është komunikuar sot arresti me burg, pas aksidentit që u regjistrua pasditen e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku mbeti e plagosur rëndë 23-vjeçarja Xhesina Gega.

Breçani përplasi me makinë dje 23-vjeçaren Xhesina Gega, e cila ka mbetur pa njërën këmbë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

E reja i është nënshtruar një operacioni në spitalin e Traumës, dhe aktualisht ndodhet në terapi intensive në gjendje kritike për jetën.

Si ndodhi aksidenti

23-vjeçarja ka qenë duke ecur në trotuar kur 19-vjeçari ka humbur drejtimin e makinës luksoze tip “Benz”, që i jepte me shpejtësi duke e përplasur të renë dhe duke i këputur njërën këmbë e duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe fytyrë.

Përplasja ka qenë e fortë dhe identifikimi i 23-vjeçares u bë me shumë vështirësi për shkak të plagëve të marra.

Jehon Breçani humbi kontrollin e makinës dhe u përplasur fillimisht me murin, më pas me një pemë dhe më pas ka goditur 23-vjeçaren që ndodhej në trotuar.