fbpx

Murati i kundërpërgjigjet Haradinajt: Qeveria Kurti s’ka ndarë miliona euro për veri, kjo është shpifje

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati iu ka përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për pagesën e rrymës në veri.

Ministri Murati tha se ishte pikërisht ministri i AAK-së në Qeverinë Hoti, i cili në vitin e kaluar kishte transferuar 10 milionë euro për rrymë në komunat veriore.

Ai ka sqaruar se ndarja e 11 milionë eurove për veriun është e pa vërtetë dhe shpifje nga ish-kryeministri Haradinaj dhe deputeti i AAK-së Bekë Berisha.

“E ndije obligim të jap një sqarim, por po ashtu edhe parafolësve të tjerë që e ngritën të njëjtën çështje. U tha disa herë që Qeveria ka vendosur t’i jep 11 milionë euro për KOSTT ose për të paguar rrymën në veri. Kjo është e pa vërtetë, është shpifje. Madje, në fakt janë pikërisht deputetët të opozitës që në Komisionin për ekonomi kanë thënë se Qeveria duhet me i paguar. Nëse dëshirojmë ta dimë se cila qeveri ka bërë pagesë të tillë, atëherë e kam një lajm për ju deputeti Berisha: më 26 nëntor të vitit të kaluar, ku ju keni qenë në Qeveri, LDK-AAK-Nisma, edhe PDK-ja që e mbajti ‘zhagin’ i janë transferuar KOSTT-it për të paguar energjinë elektrike në veri, në vlerë 10 milionë euro. Pra, janë paguar 10 milionë euro. Qeveria Kurti 1 asnjë transfer nuk e ka bërë, ju e keni bërë. Qeveria juaj e ka marrë vendimin në gusht. Tranferin e ka bërë ministri i AAK-së, Blerim Kuqi, i cili ia ka transferuar 10 milionë euro KOSTT-it për të paguar rrymën në veri”, tha Murati.