fbpx

Në skemën e pastrimit të parave të “Cosa Nostras”. Rezart Taçi në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet kunati dhe truproja e tij. Sekuestrohen 18 milionë euro

Biznesmeni Rezart Taçi, rezulton të jenë përfshirë në një skemë komplekse financiare ndërkombëtare të pastrimit të parave të ardhura nga veprimtari kriminale dhe e shtrirë në disa shtete.

Sipas SPAK janë mbledhur prova se skema financiare drejtohej nga sipërmarrësi italian Francesco Zummo, djali i tij Ignazio Zummo në bashkëpunim me biznesmenin Italian Fabio Petruzzella, një shtetas zviceran me origjinë italiane Daniele Castagalli dhe Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.

Në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie Rezat Taçi thuhet se kishte angazhuar personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, konkretisht Artur Balla, kunatin e tij dhe Bledar Lilo, truproja e tij informon SPAK. Këta të fundit u arrestuan sot (12 nentor 2021).

“Janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale” informoi sot SPAK.