Osmani i reagon Vulinit: Nuk po arrin të shkëputet nga mendësia e Millosheviqit

Mohimi nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, i cili një ditë më parë Masakrën e Reçakut e quajti gënjeshtër dhe vrasjen e civilëve shqiptarë një falsifikim.

Osmani ka thënë se tendencat e Vulinit “shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit”.

Osmani ka thënë se përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila, sipas saj, nuk po arrin të shkëputet Vulini si besnik i tij.

“Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, u shpreh ajo.