fbpx

SHBA: Oferta e Putinit për bisedime, jo diplomaci reale

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka hedhur poshtë ofertën e presidentit rus Vladimir Putin për bisedime me Ukrainën si “diplomaci jo reale”.

Duke folur me gazetarët në Uashington të premten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “në tytën e armës”.

“Që të zhvillohet diplomacia, veprimi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen”, tha ai.

“Deri më tani, SHBA-ja nuk kishte parë asnjë tregues se Putini ishte i gatshëm të lejonte suksesin e diplomacisë”, shtoi ai.

Më herët të premten, Kremlini tha se Putini ishte “gati” për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion ukrainas në Bjellorusi rreth “neutralitetit” dhe “çmilitarizimit” të vendit. Ukraina kërkoi që bisedimet të mbahen në Poloni. Megjithatë, që atëherë lidhjet janë shkëputur mes dy vende dhe vendimi ka qëndruar në pritje.