fbpx

Turqia i del krah Bjellorusisë, e zbuti deklaratën e NATO-s

Turqia u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që ta zbusin një reagim zyrtar rreth aterrimit të detyrueshëm të një aeroplani udhëtarësh dhe arrestimit të një gazetari disident të dielën, i thanë agjencisë Reuters dy diplomatë të afërt me këtë çështje.

30 vendet aleate të NATO-s dolën me një deklaratë të shkurtër të mërkurën, duke e dënuar aterrimin e detyrueshëm të aeroplanit të kompanisë “Ryanair” për ta arrestuar gazetarin Roman Protasevich, por në deklaratë nuk u njoftua për ndonjë hap ndëshkues, pavarësisht kërkesës për një gjë të tillë nga shtetet baltike dhe Polonia.

Deklarata e NATO-s ishte gjithashtu më e butë sesa komentet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai e cilësoi incidentin si mizor dhe rrëmbim shtetëror, shkruan Reuters.

“Shumë aleatë ishin të frustruar me Turqinë. Ishte e rëndësishme për NATO-n që të reagojë dhe nuk është e qartë pse Ankaraja do të donte ta mbronte Lukashenkon”, tha një diplomat evropian që ishte i pranishëm në diskutime.

Ankaraja këmbënguli që në deklaratë të mos përmenden përkrahja e sanksioneve shtesë nga vendet perëndimore për Bjellorusinë dhe as thirrja për lirimin e të burgosurve politikë, thanë dy diplomatët. Ata shtuan se nga deklarata u hoq edhe kërcënimi për pezullimin e bashkëpunimit të NATO-s me Bjellorusinë.

Nuk është e qartë se cili është motivi i Turqisë për këtë këmbëngulje, por diplomatët thanë se ky shtet mund të jetë duke u munduar që t’i ruajë raportet me Rusinë, e cila është aleatja më e ngushtë e Bjellorusisë, dhe t’i mbajë marrëdhëniet ekonomike me Bjellorusinë përmes kompanisë “Turkish Airlines”, që ka fluturime përditë drejt Minskut. Një motiv tjetër mund të jetë vullneti i Turqisë për të pritur sa më shumë turistë rusë këtë verë pas pandemisë.